UBT News

​Hetimet për atentatin në Rinas, zbulohet arsenal armësh në Fushë-Krujë

Një arsenal armësh dhe lëndësh plasëse u zbulua sot në një banesë në fshatin Zall, Fushë-Krujë, në kuadër të operacionit policor të koduar “Tracking”.

Gjatë kontrolleve, policia njoftoi se u gjetën në këtë banesë: 3 kallëpe tritol; 12 granata dore sulmuese; sasi lëndësh plasëse gati për shpërthim, të montuara me kapsolla detonatore, fitil zjarrpërcjellës dhe celularë (mina); 3 ndezës granatash, kapsolla detonatore dhe 5 celularë; 4 armë zjarri (2 automatikë dhe 2 pushkë), 8 krehra dhe pjesë armësh; 6000 fishekë të kalibrave të ndryshëm; 2 kg e 25 gramë kanabis”.

Në vijim të veprimeve procedurale për rastin, sipas policisë është shpallur në kërkim pronari i banesës, shtetasi Y. Z., 48 vjeç.

Punohet intensivisht për kapjen e tij, si dhe po hetohet me qëllim zbardhjen e lidhjes së mundshme që mund të ketë 48-vjeçari me ngjarjen e ndodhur te rrethrrotullimi i Rinasit.

Operacioni “Tracking”, është ende në vijim në Krujë dhe po kryhet në kuadër hetimeve për zbardhjen e atentatit në rrethrrotullimin e Rinasit dy ditë më parë.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme./S.K/KP/ATSH/

Exit mobile version