UBT News

​Hendboll: Kosova në raundin e dytë të kualifikimeve për Botërorin 2027

Kombëtarja e Kosovës në hendboll ka arritur një sukses historik, duke u kualifikuar për herë të parë në raundin e dytë të kualifikimeve për Kupën e Botës 2027.

Në ndeshjen e kthimit të luajtur të dielën mbrëma në Pallatin e Rinisë dhe Sportit në Prishtinë, “Dardanët” fituan ndaj Britanisë së Madhe me rezultat 35:30, në një atmosferë të zjarrtë para një numri të madh shikuesish.

Kjo ishte fitorja e dytë e Kosovës ndaj britanikëve, pasi të mërkurën në ndeshjen e parë në Angli kishin triumfuar 32:26. Me rezultatin e përgjithshëm 67:56, Kosova siguroi kalimin në fazën e dytë të kualifikimeve, diçka që ndodh për herë të parë në historinë e saj.

Pas një pjese të parë të dominuar nga kosovarët (17:13), pjesa e dytë nisi vështirë, me Britaninë e Madhe që mori epërsinë për disa minuta. Megjithatë, djemtë e përzgjedhur treguan karakter, rikthyen kontrollin dhe e mbyllën takimin me pesë gola epërsi.

Më i miri për Kosovën ishte Drenit Tahirukaj me shtatë gola, ndërsa Drilon Tahirukaj, Leonard Gegaj dhe Egzon Gjuka shënuan nga gjashtë herë secili.

Kjo ishte gjithashtu ndeshja e parë nën drejtimin e selektorit të ri, Jesper Ostlund, i cili debutoi me dy fitore në po aq ndeshje. Ai, bashkë me asistentin Jasmin Zhuta, do të ketë më shumë kohë për përgatitjet para fazës së dytë që zhvillohet në mars të vitit të ardhshëm, ndërsa priten edhe disa ndeshje miqësore në janar./S.K/KP/

Exit mobile version