Klinika Infektive e Qendrës Universitare Klinike të Kosovës ka njoftuar se po trajton një situatë të helmimeve të dyshuara nga ushqimi, ku deri më tani janë hospitalizuar 31 pacientë.
Fluksi i rasteve ka nisur gjatë datave 13, 14 dhe 15 korrik, periudhë gjatë së cilës ndihmë mjekësore urgjente në këtë klinikë kanë kërkuar rreth 30 persona, prej të cilëve 11 raste kanë rezultuar pozitivë me bakterin Salmonella Enteritidis pas analizave të hollësishme laboratorike.
Në kuadër të këtyre rasteve, janë pranuar edhe pesë pacientë nga komuna e Hanit të Elezit me simptoma të ngjashme, të cilët kanë deklaruar se kanë konsumuar ushqim në të njëjtin lokacion, gjë që ngre dyshime se numri i personave të helmuar mund të jetë edhe më i madh.
Ekipi shëndetësor po punon intensivisht për të identifikuar burimin e saktë të infeksionit dhe konfirmon se të gjithë pacientët e shtruar janë duke marrë trajtimin e duhur dhe gjendja e tyre po shkon drejt përmirësimit.
Për shkak të temperaturave të larta që favorizojnë shumimin e shpejtë të baktereve, stafi mjekësor u bën thirrje qytetarëve të shmangin konsumimin e ushqimeve të shpejta të tipit “fast food” dhe të kërkojnë menjëherë ndihmë mjekësore në qendrën më të afërt nëse shfaqin simptoma si të vjella, diarre, temperaturë të lartë apo dhimbje të forta barku, ndërsa Klinika Infektive ka premtuar se do të mbajë të informuar opinionin publik në mënyrë transparente për çdo zhvillim të ri epidemiologjik. /E.A/
