Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, ka reaguar pas dështimit të seancës së 34-të të Kuvendit, duke theksuar se bllokada politike nuk mund të zgjidhet përmes procedurave teknike, por sipas tij, vetëm përmes një marrëveshjeje politike.
Haziri kritikoi Lëvizjen Vetëvendosje, si subjektin e parë nw zgjedhjet e fundit, për dështimin në ndërtimin e marrëveshjes për formimin e qeverisë , e po ashtu ai akuzoi qeverinë aktuale për abuzim me pushtetin.
“Edhe takimi i 34-të, konfirmoj edhe njëherë se çështjet politike dhe zgjedhjet e organeve deri në konstituim dhe në fund finalizim nuk mund të zgjedhën me procedura, por duhet të zgjedhën me marrëveshje politike. Çështjet që kanë frymën e rregulloreve të Kuvendit dhe çështjet që ndërtohen për procedurë nuk i zgjidhin problemet politike asnjëherë, dhe në vazhdimësi do t’i nënshtrohemi rregullit një ditë po dhe një ditë jo për t’u takuar. Edhe sot kërkojmë që partia e parë të menaxhojë detyrën e vet të dalë nga 9 shkurti, t’i jep mundësi që Kuvendi i Republikës të konstituohet, sipas një marrëveshje eventuale që arrihet dhe të hyn në fazën e ndërtimit dhe legjitimit të kuvendit të Republikës. Duhet të kuptojmë që dy minarët, edhe procedurë dhe marrëveshje politike, edhe deputetë, dhe ministër, nuk mund të funksionojë qeveria në detyrë. Sepse, po e shihni ditët e fundit që më shumë kalojnë kabineti qeveritar në zyret e prokurorisë sesa në zyret e qeverisë. Ata po vazhdojnë të bëjnë vendime kundër Kushtetutës, dhe është abuzim i pastër me pushtetin”, ka thënë Haziri
Haziri po ashtu ka folur edhe për deklaratat e presidentit amerikan, Donald Trump. Ai theksoi nevojën urgjente që Kosova të ketë qeveri me legjitimitet të plotë dhe Kuvend funksional për t’u përballur me çdo zhvillim të mundshëm ndërkombëtar.
“Vazhdon të jetë kërkesë e jona që përmes një qeverie kalimtare të mos presim të krijohen situata ku vjen një qëndrim që ndodhi të shtunën nga presidenti amerikan, Trump i cili rastin e Kosovës e nënvizoi si ndërhyrje të tij në ruajtjen e paqes dhe demet për katër vite që ka ndodhur do të kthehet. Dëmi më i madh, marrëveshja Vuciq-Kurti në Oher. Konfirmimi që do të rikthehet, nënkupton që duhet të jemi gati, të përgatitur dhe që qeveria duhet të ketë legjitimit, kuvendi duhet të jetë funksional, ku mund të ketë një thirrje, ajo mund të vije në çdo kohë”, ka shtuar ai.
Sot, ka dështuar edhe përpjekja e 34 për konstitumin e Kuvendit të Kosovës.
Përveç betimit të deputetëve të zgjedhur, Kuvendi i ri ka mbetur i pa konstituar në mungesë të zgjedhjes së kryetarit të ri dhe nënkryetarëve.
Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe NISMA nuk po i japin votën kandidates së propozuar për kryetare nga Lëvizja Vetëvendosje, Guxo e Alternativa.
Kujtojmë, zgjedhjet parlamentare janë mbajtur më nëntë (9) shkurt. Mbledhja e parë për konstituimin e Kuvendit të ri është mbajtur më pesëmbëdhjetë (15) prill. Që nga ajo datë çdo dyzetetetë (48) orë po mbahen vazhdime të seancës konstituive pa arritur ndonjë rezultat konkret.