Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, priti në një takim zyrtar, komisioneren për të Drejtat e Njeriut në KE, Dunja Mijatoviq, me ç’rast diskutuan për reformat e nisura nga Ministria e Drejtësisë.
Ministrja Haxhiu e njoftoi Komisioneren, Mijatoviq, për punën që është bërë deri tani në kuadër të reformës në drejtësi, si dhe me politikat që avancojnë të drejtat e njeriut, si dhe veprimet që janë ndërmarrë në adresimin institucional të dhunës në familje dhe krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë, si dhe punën gjithëpërfshirëse në kuadër të strategjisë për drejtësi tranzicionale.
Ministrja Haxhiu përmendi edhe Kodin Civil si një dokument të rëndësishëm në avansimin e të drejtave të njeriut, si dhe tregoi rëndësinë që ka për vendin dhe qytetarët anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës, me ç’rast përveç tjerash kjo do të ndikonte edhe në përmirësimin e funksionimit të sistemit të drejtësisë, duke krijuar kushte më të përshtatshme për të implementuar praktikat më të mira rrjedhimisht ngritjen e standardeve të respektimit të të drejtave të njeriut.