UBT News

Haxhiu takon komisioneren e BE-së, Marta Kos

Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka pritur sot në një takim zyrtar Komisioneren e Bashkimit Evropian për Zgjerim, Marta Kos, e cila po zhvillon vizitën e saj të parë në vendin tonë.

Përmes një njoftimi, Haxhiu bëri të ditur se në këtë takim është diskutuar për rrugëtimin evropian të Kosovës, reformat që duhet të shtyhen përpara, si dhe për rëndësinë që procesi i zgjerimit të BE-së të jetë i drejtë dhe i bazuar në merita.

Haxhiu theksoi se integrimi në Bashkimin Evropian mbetet orientim i qytetarëve dhe projekt strategjik i shtetit të Kosovës. Ajo shtoi se pret që përkushtimi i vendit ndaj demokracisë dhe sundimit të ligjit të gjejë një përgjigje të qartë nga ana e Bashkimit Evropian.

Në përmbyllje të takimit, ushtruesja e detyrës së presidentes e ka falënderuar komisioneren Kos për vizitën dhe angazhimin e saj, duke rikonfirmuar gatishmërinë e institucioneve të Kosovës për një bashkëpunim të ngushtë me BE-në.

 

Exit mobile version