Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, mori pjesë në përmbylljen e projektit “Na Mungojnë”, një nismë e cila përmes dokumentarëve dhe debateve publike ka sjellë në vëmendje rrëfimet e familjeve të personave të pagjetur dhe kërkesën e tyre të pandërprerë për drejtësi.
Në fjalën e saj, Haxhiu theksoi se mungesa e përgjigjeve vjen si pasojë e faktit që Serbia vazhdon t’i mbajë të mbyllura arkivat e saj ushtarake, policore dhe shtetërore. Sipas saj, në ato arkiva ndodhen të dhëna mbi urdhra, varrime e zhvarrime që familjet i presin prej më shumë se një çerek shekulli, duke shtuar se fshehja e gjurmëve në varrezat masive në territorin e Serbisë ka qenë tërësisht e qëllimshme.
Haxhiu bëri thirrje që hapja e arkivave të mos mbetet në vullnetin e Beogradit, por të trajtohet nga partnerët ndërkombëtarë si një detyrim i qartë i Serbisë ndaj të vërtetës. Ajo kujtoi se rreth 1,600 persona mbeten ende në listat e të pagjeturve, duke potencuar se projekte të tilla u japin emra dhe fytyra njerëzore statistikave.
Më tej, U.D. Presidentja nënvizoi se kërkesa për të ditur fatin e të pagjeturve kërkon punë të përditshme institucionale dhe falënderoi Institutin e Mjekësisë Ligjore, Komisionin Qeveritar, Prokurorinë Speciale dhe Policinë. Ajo vuri në pah se vitet e fundit është shënuar përparim falë rritjes së kapaciteteve dhe ndryshimeve ligjore që mundësojnë gjykimin në mungesë.
Në këtë rrafsh, Haxhiu përmendi hapat e rëndësishëm ligjorë e institucionalë që ka bërë Kosova, si anëtarësimin në Komisionin Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur (ICMP) në korrik 2023, themelimin e Institutit për Krimet e Kryera gjatë Luftës në gusht 2023, si dhe Strategjinë për Drejtësi Tranzicionale 2024–2034. Si shembull të angazhimit konkret, ajo solli identifikimin dhe rivarrimin e fundit të viktimave të masakrës së Kralanit.
Në përmbyllje, Haxhiu shprehu mirënjohje për BIRN Kosovën, ACDC-në, Bashkimin Evropian dhe veçanërisht për familjarët që pranuan të ndajnë dhimbjen e tyre, duke përsëritur zotimin se kjo punë nuk do të konsiderohet e kryer derisa të ketë përgjigje për çdo person të pagjetur. /E.A/
