Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, ka bërë të ditur se pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve të 7 qershorit, seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës do të thirret brenda afatit të përcaktuar me Kushtetutë, duke i hapur rrugë themelimit të institucioneve të reja.
Përmes një postimi në Facebook, Haxhiu shprehu mirënjohje për të gjitha institucionet zgjedhore që kontribuan në mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.
“Në përputhje me përgjegjësitë kushtetuese, seanca konstituive e Kuvendit të Republikës do të thirret brenda afatit të përcaktuar me Kushtetutë, duke hapur rrugën për themelimin e institucioneve të reja të dala nga vullneti i qytetarëve. Besimi i dhënë nga qytetarët është një përgjegjësi e madhe. Çdo mandat duhet të ushtrohet me integritet, llogaridhënie dhe përkushtim të palëkundur në shërbim të interesit publik, demokracisë dhe të ardhmes së Republikës sonë”, ka shkruar Haxhiu.
Sipas Kushtetutës së Kosovës, seanca konstituive e Kuvendit duhet të mbahet brenda 30 ditëve nga certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve. Në këtë seancë pritet të zgjidhen kryetari dhe nënkryetarët e Kuvendit, për t’i hapur më pas rrugë procedurave për formimin e Qeverisë së re dhe zgjedhjen e presidentit./A.K/
