UBT News

Haxhiu pret Federatën e Kickbox-it pas suksesit në Kupën e Botës në Turqi

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka pritur në takim përfaqësuesit e Federata e Kickbox-it të Kosovës, pas suksesit të sportistëve kosovarë në Turkish WAKO World Cup të mbajtur në Antalya.

Haxhiu vlerësoi paraqitjen e Kosovës në një nga ngjarjet më të mëdha ndërkombëtare të kickbox-it, ku morën pjesë rreth 3 mijë garues nga mbi 40 shtete të botës.

Në kuadër të këtij takimi, ajo ndau mirënjohje institucionale për federatën dhe sportistët që përfaqësuan Kosovën me sukses në këtë garë prestigjioze.

Sipas saj, Art Dulaj fitoi medaljen e artë në kategorinë “Full Contact”, duke regjistruar tri fitore me nokaut dhe duke dominuar konkurrencën.

Ndërkohë, Artor Mehmeti dhe Nart Mehmeti siguruan medalje të bronzta në disiplinën “Lowkick”, pasi arritën deri në gjysmëfinale me fitore bindëse 3:0.

Kosova u përfaqësua denjësisht edhe në aspektin e referimit, ku Albin Musa ishte pjesë e panelit ndërkombëtar të gjyqtarëve.

Haxhiu shprehu mirënjohje edhe për kryetarin e federatës Fatmir Makolli, si dhe për selektorët Nesret Salihaj dhe Ilir Menxhiqi, për kontributin dhe drejtimin profesional të ekipit.

“Ky sukses dëshmon se përfaqësimi dinjitoz i Kosovës ndërtohet me disiplinë, përkushtim dhe punë të përbashkët”, ka deklaruar Haxhiu.

Exit mobile version