UBT News

Haxhiu: Personat e varur nga droga nuk janë kriminelë, ata kanë nevojë për trajtim

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, mori pjesë në tryezën e organizuar për Ditën Ndërkombëtare kundër Abuzimit dhe Trafikimit të Drogave.

Në fjalën e saj, Haxhiu tha se përdorimi dhe shitja e drogës janë rreziqe të mëdha për rininë dhe sigurinë në vend. Ajo kërkoi që për këtë problem të flitet hapur nëpër shkolla, me prindër dhe me mësimdhënës, përpara se të bëhet vonë.

Haxhiu u bëri thirrje institucioneve që t’i kushtojnë rëndësi të veçantë shkollave, për shkak të raportimeve se pranë oborreve të tyre shitet drogë. Ajo theksoi se nëse të rinjtë dëgjojnë për drogat vetëm nga rruga apo rrjetet sociale, shteti nuk do të mund t’i mbrojë dot.

Gjatë fjalimit, ajo bëri thirrje që personat e varur nga substancat narkotike të mos trajtohen si kriminelë, por si njerëz që kanë nevojë për ndihmë dhe rehabilitim. Sipas saj, kriminelë janë ata që i furnizojnë dhe përfitojnë nga dobësia e tyre.

Në fund, Haxhiu përkujtoi se Kosova ka një strategji shtetërore kundër drogës, por shtoi se ky problem nuk zgjidhet me një dokument, por kërkon punë të vazhdueshme nga i gjithë komuniteti./E.A/

Exit mobile version