Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka thënë se Kosova e ka të drejtën të refuzojë ndonjë të burgosur nga Danimarka.
Duke raportuar për marrëveshjen për qelitë me Danimarkën, ajo tha se të burgosurit që kanë vepër për pedofili ose ndonjë vepër më sensitive, do të refuzohen.
“Kosova e ka të drejtën e refuzimit për ndonjë të burgosur, nëse shohim që ai ka ndonjë vepër për pedofili ose për ndonjë vepër tjetër më sensitive dhe Kosova parasheh dënim më të madh, ne mund ta refuzojmë të burgosurin të vijë ta vuajë dënimin. Personat janë me rrezikshmëri të mesme, dhe çështja e të paraburgosurve që nisen në qendra tjera besoj që do të mund ta bëjmë një zgjidhje që familjarët të mos kenë vështirësi për t’i vizituar ata”, tha Haxhiu.
Më tej, ministrja shtoi se pesë milionë euro është kostoja vjetore dhe drejtori i qendrës do të jetë danez.
“Diku 5 milionë euro është kostoja vjetore dhe drejtori i qendrës do të jetë danez, oficerët korrektues do të jenë nga Kosova. Kemi problem sa i përket gjuhës, jemi duke adresuar sepse secili prej tyre ka të drejtën ta ketë mundësinë në gjuhën që ai njeh, përmes përkthyesve ose ata që njohin gjuhën angleze, jemi duke punuar për detaje të cilat ende si kemi definuar”, tha ajo, njofton Klankosova.tv.