Ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, ka kujtuar 16-vjetorin e opinionit këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND), i cili konfirmoi se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk ra në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare.
Përmes një postimi, Haxhiu ka theksuar se ky vendim i marrë më 22 korrik të vitit 2010 në Hagë përbën një nga momentet më me rëndësi juridike dhe diplomatike për vendin tonë.
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e pat marrë këtë vendim pas kërkesës së Serbisë drejtuar Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, duke hedhur poshtë pretendimet e Beogradit dhe duke konfirmuar se Deklarata e Pavarësisë e 17 shkurtit 2008 nuk cenonte të drejtën e përgjithshme ndërkombëtare.
“Edhe pas 16 vitesh, opinioni i 22 korrikut 2010 mbetet një nga gurthemelet e legjitimitetit ndërkombëtar të shtetësisë së Kosovës dhe një referencë e rëndësishme në afirmimin e subjektivitetit të saj në arenën ndërkombëtare,” ka deklaruar Haxhiu.
Vendimi i historik i GJND-së shërbeu si një bazë e fuqishme për konsolidimin e shtetësisë së Kosovës dhe hapi rrugën për valën e njohjeve ndërkombëtare që pasuan. /E.A/
