Me rastin e nisjes së fushatës globale “16 Ditët e Aktivizmit kundër Dhunës me Bazë Gjinore”, e cila zgjat nga 25 nëntori deri më 10 dhjetor, kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka bërë thirrje për angazhim institucional dhe shoqëror në luftimin e dhunës ndaj grave dhe vajzave.
Përmes një video-mesazhi të publikuar në rrjetet sociale, Haxhiu theksoi se Kosova i bashkohet zërit global kundër kësaj dukurie, duke vlerësuar se rrënjët e dhunës qëndrojnë te pabarazia dhe normat që ushqejnë kontrollin e burrave mbi jetën e grave.
“Ky kontroll nuk është paralajmërim i dhunës, ai vetë është dhunë, është dhunë psikologjike dhe ekonomike dhe shpesh i paraprin dhunës fizike, madje dhe vrasjes”, deklaroi ajo.
Ajo nënvizoi se përgjegjësia për dhunën bie gjithmonë mbi atë që e ushtron, ndërsa ndalimi i saj është detyrë e institucioneve, familjeve dhe shoqërisë. Duke iu referuar synimit të fushatës së sivjetshme për drejtësi ndaj të mbijetuarave, Haxhiu kërkoi trajtim serioz dhe mbrojtje të menjëhershme për viktimat.
“Drejtësi do të thotë që gruaja të besohet kur raporton, të mbrohet menjëherë dhe që dhunuesi të përballet me pasoja. Do të thotë edhe që gratë që ende nuk kanë mundur të flasin, të mos lihen vetëm”, u shpreh ajo.
Në përmbyllje, kryetarja e Kuvendit u zotua se legjislativi do të mbikëqyrë zbatimin e ligjit në çdo institucion përgjegjësi: “Çdo grua që jeton me frikë duhet të mund të mbështetet tek institucionet e këtij vendi. Këtë besim ne duhet ta fitojmë me veprim”. /E.A/
