Kryetarja e Kuvendit të Kosovës dhe ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, ka marrë pjesë në edicionin e 16-të të Green Fest në Mitrovicë, duke vlerësuar rolin e festivalit në promovimin e muzikës, artit, rinisë dhe ndërgjegjësimit për çështjet mjedisore.
Gjatë fjalës së saj, Haxhiu tha se Mitrovica, përveç historisë si qytet i minatorëve, ndër vite ka qenë edhe një pikëtakim i punës, dijes, kulturës dhe muzikës.
Sipas saj, Green Fest e vazhdon këtë traditë duke krijuar një hapësirë ku të rinjtë dhe qytetarët bashkohen përmes aktiviteteve kulturore dhe artistike, por edhe diskutimeve për mbrojtjen e mjedisit.
Haxhiu u shpreh se dëshiron që Mitrovica të njihet gjithnjë e më shumë për aktivitetet që i afrojnë njerëzit dhe krijojnë bashkëpunim, sesa për ato që i ndajnë.
Ajo përmendi edhe investimet institucionale në infrastrukturë, shkolla, çerdhe dhe hapësira kulturore, duke theksuar se janë njerëzit ata që u japin jetë këtyre hapësirave.
Në fund, Haxhiu falënderoi organizatorët e Green Fest për punën ndër vite dhe për kontributin në pasurimin e jetës kulturore në Mitrovicë, përmes muzikës, artit dhe aktiviteteve që bashkojnë komunitetin./A.K/
