Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka përshëndetur marrëveshjen e arritur sot ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës për propozimin e Prof. Dr. Bekim Sejdiut si kandidat për President të Republikës.
Përmes një deklarate, Haxhiu e ka vlerësuar dakordimin e arritur mes dy liderëve, Albin Kurti dhe Lumir Abdixhiku, si një moment kyç për kapërcimin e ngërçit politik në vend.
“E mirëpres marrëveshjen e arritur sot ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës për kandidatin për President të Republikës. Dakordimi i sotëm është një hap shumë i rëndësishëm drejt tejkalimit të ngërçit dhe funksionalizimit të plotë të institucioneve. Tani është me rëndësi që ky proces të përmbyllet në Kuvend, me përgjegjësinë që kërkon momenti dhe interesi i Republikës”, ka shkruar Haxhiu.
Pas këtij hapi zyrtar dhe mbështetjes nga kreu i shtetit, procedura pritet të zhvendoset në Kuvendin e Kosovës për thirrjen e seancës ku do të votohet kandidatura e Sejdiut për kryetar shteti. /E.A/
