Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka marrë pjesë në hapjen e ekspozitës “Sy më Sy”, e cila trajton rrëfimet dhe përvojat e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.
Në fjalën e saj, Haxhiu tha se irisi, i vendosur në qendër të ekspozitës, paraqet një shenjë unike të identitetit njerëzor dhe simbolizon praninë, dinjitetin dhe historinë personale të secilit individ.
Ajo vlerësoi punën e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës dhe organizatës “Pro Peace”, duke theksuar rëndësinë e rrëfimeve të të mbijetuarve dhe nevojën për t’u përballur me stigmën që ka përcjellë shumë prej tyre pas luftës.
Sipas Haxhiut, personat e dhunuar seksualisht gjatë luftës janë pjesë e historisë së Kosovës dhe meritojnë njohje, kujdes, drejtësi dhe jetë me dinjitet.
Ekspozita “Sy më Sy” synon të nxisë reflektimin dhe ndërgjegjësimin mbi përvojat e të mbijetuarve, duke sjellë para publikut histori që për vite të tëra kanë mbetur në heshtje.
/A.K/
