UBT News

Haxhiu liron nga detyra 18 gjyqtarët serbë të dorëhequr në vitin 2022

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka dekretuar lirimin nga detyra të 18 gjyqtarëve nga komuniteti serb, të cilët kishin dhënë dorëheqje përgjatë vitit 2022. Vendimi vjen pas propozimit zyrtar të dërguar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK).

Më 27 gusht, KGJK-ja kishte refuzuar kërkesën e gjyqtarëve dhe stafit mbështetës serb për tërheqjen e dorëheqjeve të tyre dhe rikthimin në sistem, duke i rekomanduar presidencës lirimin e tyre përfundimtar nga detyra. Një vendim të ngjashëm më parë e ka marrë edhe Këshilli Prokurorial i Kosovës.

Ky hap ka nxitur reagimin e Bashkimit Evropian, i cili shprehu “keqardhje të thellë” dhe kërkoi që riintegrimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve të dorëhequr të trajtohet brenda kornizës së dialogut të lehtësuar nga Brukseli. Rreth 130 pjesëtarë të sistemit të drejtësisë u larguan nga institucionet e Kosovës në nëntor të vitit 2022, si pjesë e braktisjes kolektive të funksioneve publike në katër komunat veriore. /E.A/

Exit mobile version