Në fillim të seancës plenare të Kuvendit të Kosovës, kryeparlamentarja Albulena Haxhiu ka përkujtuar daljen e parë publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), e cila u shënua më 28 nëntor të vitit 1997 gjatë ceremonisë së varrimit të mësuesit Halit Geci në Llaushë të Skenderajt, i vrarë nga forcat serbe.
Haxhiu theksoi se në prag të këtij përvjetori, institucionet dhe qytetarët qëndrojnë pranë ish-krerëve të UÇK-së — Hashim Thaçi, Jakup Krasniqi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi — të cilët po mbahen në Hagë dhe në shkallën e parë janë dënuar me 81 vjet burgim.
“Teksa kujtojmë këto ngjarje, jemi pranë krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), luftëtarëve të lirisë të cilët edhe këtë 28 nëntor po mbahen padrejtësisht në Hagë. Vendi i tyre është në Kosovë dhe ne vazhdojmë angazhimin tonë që drejtësia të vihet në vend dhe ata të lirohen sa më parë”, deklaroi Haxhiu.
Duke vlerësuar peshën historike të 28 nëntorit 1997, kryetarja e Kuvendit u shpreh se pikërisht nga varrimi i një mësuesi lindi besimi se liria mund të fitohej, duke e cilësuar këtë datë si nëntorin e tretë të madh të shqiptarëve, pas Krujës më 1443 dhe Vlorës më 1912.
“Për ne, 28 nëntori i vitit 1997 është nëntori i tretë, pas Krujës më 1443 dhe Vlorës më 1912. Ai u shkrua edhe në Llaushë, ku mijëra njerëz u mblodhën për ta përcjellë mësuesin e tyre. Aty para tyre dolën Rexhep Selimi, Mujë Krasniqi dhe Daut Haradinaj me uniformën e UÇK-së. Ishte hera e parë që UÇK-ja, e cila deri atëherë vepronte në ilegalitet, doli hapur para qytetarëve, para popullit. Ajo liri u fitua me gjak, me sakrificë, me guxim dhe me përkushtimin e mijëra njerëzve, dhe atë liri e gëzojmë ne sot në shtetin tonë”, u shpreh Haxhiu.
Gjatë kësaj seance, në sallën e Kuvendit u shfaq edhe një video dokumentare nga dalja e parë publike e UÇK-së. /E.A/
