Pas aktgjykimit të Gjykatës Speciale në Hagë, ku ish-krerët e UÇK-së u dënuan me gjithsej 81 vjet burgim, në Kosovë po kërkohet bashkërendim institucional për hapat e ardhshëm legalë e politikë.
Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, i bëri thirrje klasës politike të lërë mënjanë përçarjet, akuzat e ndërsjella dhe etiketimet si “spiun e tradhtar”.
Ajo theksoi se vendi ka nevojë për një qasje të përbashkët dhe se koordinimi është në interes si të shtetit, ashtu edhe të vetë të dënuarve.
Po ashtu, Haxhiu kritikoi vendimin e PDK-së për të dërguar në Gjykatën Kushtetuese çështjen e konstituimit të Kuvendit dhe Qeverisë pak ditë para verdiktit, duke e cilësuar atë si veprim të pakuptimtë në rrethanat aktuale.
Nga ana tjetër, kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, deklaroi se për subjektin e tij nuk ka prioritet më të madh sesa nisma për të ndryshuar ligjin për Dhomat e Specializuara. Pas këtij vendimi të shkallës së parë, vëmendja e institucioneve po përqendrohet te procedurat e mëtejshme, përfshirë fazën e apelit.
