UBT News

Haxhiu kërkon nga BE-ja statusin e vendit kandidat dhe hapjen e negociatave për Kosovën

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka kërkuar zyrtarisht nga Bashkimi Evropian që progresi i Kosovës në zbatimin e reformave të vlerësohet me hapa konkretë, duke kërkuar avancimin drejt statusit të vendit kandidat dhe hapjen e negociatave për anëtarësim.

Këto kërkesa Haxhiu i shprehu gjatë një takimi me Valentina Supertin, drejtoreshën për Ballkanin Perëndimor në Komisionin Evropian, e cila po zhvillon vizitën e saj të parë në Kosovë.

Sipas njoftimit nga Zyra e Presidentes, në takim u vlerësua mbështetja e vazhdueshme e BE-së, e cila është përkthyer në reforma dhe institucione demokratike. Haxhiu bëri të ditur se vendi po i zbaton me seriozitet obligimet nga Agjenda e Reformave dhe Plani i Rritjes, duke mbajtur një kurs të qartë dhe të harmonizuar plotësisht me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së.

Përveç integrimit evropian, në takim u diskutua edhe për bashkëpunimin rajonal dhe zbatimin e marrëveshjeve të Procesit të Berlinit. Në këtë pikë, Haxhiu potencoi se Kosova duhet të trajtohet si partnere e barabartë në çdo sferë, përfshirë përfaqësimin, tregtinë, digjitalizimin dhe qasjen në iniciativat e tregut të përbashkët. /E.A/

 

Exit mobile version