E përditësuar
10:15 – Seanca gjyqësore për rastin e hedhjes së gazit lotsjellës në hapësirat e Kuvendit të Kosovës ndaj të akuzuarve që ishin deputetë në atë kohë, Albulena Haxhiu, Donika Kadaj dhe Pal Lekaj, Besa Baftiu është shtyrë për një datë tjetër.
Shtyrjen e seancës së sotme për rastin e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës e ka konfirmuar edhe avokati i Pal Lekaj, Musa Damati i cili tha se përmes telefonit janë njoftuar se seanca nuk mbahet sot.
Ai theksoi se për këtë çështje gjyqësore deri në fund të vitit do të arrij parashkrimi i saj.
“Seanca e sotme e planifikuar që të mbahet në rastin e njohur të gazit – lotsjellës është shtyrë për arsye të disa prej zyrtarëve të cilët kanë deklaruar me parashtresë me shkrim se janë të angazhuar me agjendën tyre të punës. Sa i përket klienti tim Pal Leka i njëjti gjendet në Kroaci dhe i njëjti ka prenotuar biletën e kthimit për të qenë pjesëmarrës në këtë seancë por që jemi njoftuar përmes telefonit që seanca për arsye të tjera është shtyrë. Ajo që është relevante në këtë çështje është te theksohet se nw raport me klientin tim por edhe të tjerët nuk ekzistojnë prova relevante që mund ta konfirmoj konsituimin e figurës së posaçme të veprës penale me të cilën ngarkohen. Një çështje them me interes është që të theksohet se instituti i të drejtës penale, instituti i parashkrimit absolut do të arrije në këtë çështje deri në fund të këtij viti”, tha ai.
Ish-deputetja, Besa Baftiu ka bërë kërkesë për shtyrje të seancës për shkak të një udhëtimi jashtë vendit.
Albulena Haxhiu, Besa Baftiu, Donika Kadaj-Bujupi e Pal Lekaj akuzohen se në shkurt të 2016-tës kanë futur bombola të gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës, kështu duke e kryer veprën penale “armëmbajtje pa leje”.
Aktakuza ka të bëjë me kohën kur partitë atëherë në opozitë, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma Socialdemokrate, kundërshtonin marrëveshjen Kosovë-Mali i Zi për Demarkacionin e kufirit dhe marrëveshjen Kosovë-Serbi për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.
Sot do të mbahet seanca gjyqësore për rastin e hedhjes së gazit lotsjellës në hapësirat e Kuvendit të Kosovës ndaj deputetëve të akuzuar.
Seanca mbahet ndaj të akuzuarve që ishin deputetë në atë kohë, Albulena Haxhiu, Donika Kadaj dhe Pal Lekaj.
Seanca është paralajmëruar të fillojë nga ora 09:30 në Pallatin e Drejtësisë.