UBT News

Haxhiu fton partitë politike për caktimin e datës së zgjedhjeve, LDK konfirmon pjesëmarrjen

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka ndërmarrë hapat e radhës për procesin elektoral duke ftuar partitë politike në një takim konsultativ nesër në orën 15:00, me qëllim caktimin e datës së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Kjo është konfirmuar nga zëdhënësi i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besian Mustafa, i cili bëri të ditur se në emër të këtij subjekti politik në takim do të marrë pjesë Jehona Lushaku, siç njofton Koha.net.

Ky zhvillim vjen menjëherë pas takimit që Haxhiu zhvilloi sot me kryesuesin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi.

Gjatë asaj bisede, Radoniqi deklaroi zyrtarisht se KQZ-ja ka kërkuar që 7 qershori të jetë data e organizimit të procesit zgjedhor, për të siguruar kohën e mjaftueshme për të gjitha përgatitjet teknike. Takimi i nesërm në Kuvend pritet të qartësojë vullnetin e subjekteve politike dhe të çojë drejt dekretimit final të datës së votimeve.

Exit mobile version