UBT News

Haxhiu dhe Tahiri përplasen në Kuvend për reformat në drejtësi

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu është përplasur me shefin e grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri për reformat në drejtësi.

Ministrja Haxhiu në seancën e Kuvendit ku po debatohet për punën dyvjeçare të Qeverisë Kurti, tha se gjatë mandatit të saj do të përmbyllë reformat në drejtësi, përfshirë edhe finalizimin e vetingut. Pavarësisht se Ligjin për Këshillin Prokurorial e ka rrëzuar Gjykata Kushtetuese, ajo tha se pa humbur kohë do t’i procedojnë ndryshimet për ligjin e ri.

“Pa humbur kohë do t’i procedojmë ndryshimet në Këshillin Prokurorial të Kosovës sepse jemi të bindur e reforma në KPK është e domosdoshme, njësoj siç ka thënë edhe Komisioni i Venecias”, tha ajo.

Mirëpo shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, akuzoi ministren Haxhiu se nuk është e aftë për të drejtuar proceset e reformave në drejtësi.

“Me fol për drejtësi me juve është problem, pasi e ke dëshmuar shumë herë që nuk di. Me ty mundemi me fol për vajin në tepsi, për gruan e frizerit, për llukun atënd, për punësime dhe higjienën që na prezanton në Ministri të Drejtësisë, por për drejtësisë nuk mundemi me fol”, theksoi ai.

Por ministrja Haxhiu, tha se për reformat në drejtësi nuk ka të drejtë të flasë deputeti i PDK-së.

“Për atë revolen dhe plumbat që nuk dëgjohen, për kaq mbahesh mend Abelard Tahiri. Kështu që ti me mua në kuptim të reformave nuk mundesh me u shty kurrë”, tha ajo.

Në fjalën e saj, ministrja Haxhiu foli edhe për aktgjykimin e sotëm të Gjykatës Supreme, ku e liroi nga akuzat Naser Pajazitajn, i dyshuari kryesor për vrasjen e Donjeta Pajazitajt, pavarësisht se ai ishte dënuar me burgim të përjetshëm nga shkalla e parë dhe nga Apeli më 35 vite burgim.

“Personi i dënuar nga shkalla e parë me burgim të përjetshëm dhe nga shkalla e dytë me 35 vite dënim, është liruar nga akuza nga Gjykata Supreme. Sigurisht të tjerët do të thoni se nuk keni të drejtë të komentoni vendimet e Gjykatës Supreme, por ja që po i komentoj pasi për mua është e papranueshme që një personi që dënohet me burgim të përjetshëm lehtësisht të lirohet nga akuza. Prandaj reforma që kemi nisur si ministri janë jashtëzakonisht të rëndësishme”, tha ajo.

Exit mobile version