UBT News

Haxhiu dhe Kryeziu ankohen në PZAP, kërkojnë rinumërim të votave të PDK-së

Kandidatët për deputetë nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Bekim Haxhiu dhe Qëndrim Kryeziu, kanë dorëzuar ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), duke kundërshtuar rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve të 7 qershorit të publikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).

Haxhiu tha se rezultati i shpallur është i pasaktë dhe nuk duhet të certifikohet pa u bërë një rinumërim i plotë.

“Sot bashkë me kandidatin për deputet Qëndrim Kryeziu, kemi dorëzuar ankesën në PZAP, në rezultatin përfundimtar të publikuar nga KQZ-ja, për arsye se rezultati i publikuar dhe përfundimtar është i pasaktë. Nga rinumërimi i 5,201 votave të PDK-së janë evidentuar 221 vota të regjistruara gabimisht. Mua si kandidat në këtë rinumërim më janë shtuar gjashtë vota”, deklaroi Haxhiu.

Ai shtoi se diferenca për mandatin e deputetit është vetëm 102 vota, ndërsa gabimet e evidentuara e tejkalojnë këtë numër.

“Marzhi i gabimit që është evidentuar është shumë i lartë dhe e tejkalon diferencën prej 102 votash. Prandaj kërkojmë që PZAP-ja të urdhërojë rinumërimin, në mënyrë që rezultati përfundimtar të jetë i saktë dhe i pakontestueshëm”, u shpreh ai.

Haxhiu kujtoi se një situatë e ngjashme kishte ndodhur edhe në zgjedhjet e 28 dhjetorit të vitit të kaluar.

“Në zgjedhjet e 28 dhjetorit, pas rinumërimit total më janë shtuar 522 vota. Edhe tani kemi një rast të ngjashëm, ndonëse me përmasa më të vogla”, tha ai.

Edhe kandidati tjetër i PDK-së, Qëndrim Kryeziu, tha se kërkesa e tyre synon vetëm respektimin e votës së qytetarëve.

“Ligji nuk thotë që duhet t’i falim gabimet, sado të vogla qofshin ato. Ligji thotë që duhet të zbatohet për të gjithë njëjtë dhe votë për votë të numërohet çdo votë. Ne nuk po kërkojmë asgjë të jashtëzakonshme, por vetëm që votat e qytetarëve të numërohen saktë”, deklaroi Kryeziu.

PZAP-ja ka afat katër ditë për të vendosur lidhur me ankesën. Në rast se ajo refuzohet, Haxhiu dhe Kryeziu kanë të drejtë ta dërgojnë rastin në Gjykatën Supreme, e cila sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme ka pesë ditë afat për të marrë vendim.

Pas përfundimit të procedurave ankimore, KQZ-së do t’i hapet rruga për certifikimin e rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të 7 qershorit./A.K/

Exit mobile version