Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka nënshkruar dekretet për lirimin nga detyra të shtatë prokurorëve nga komuniteti serb, pas vendimit përkatës të Këshillit Prokurorial të Kosovës.
Përmes një njoftimi, Haxhiu bëri të ditur se ky akt përmbyll një proces të zgjatur që nga viti 2022, kur prokurorët në fjalë kishin paraqitur dorëheqjet e tyre.
“Me këtë akt përmbyllet një proces i zgjatur për vite me radhë dhe zbatohet vendimi i institucionit kompetent, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës,” – deklaroi Haxhiu.
Ajo theksoi tutje se funksionimi i shtetit bazohet mbi parimet e sundimit të ligjit dhe se institucionet nuk mund të mbeten peng i proceseve të papërfunduara.
“Shteti ynë funksionon mbi parimet e rendit kushtetues dhe sundimit të ligjit. Askush nuk mund të mbajë peng funksionimin e institucioneve dhe as të krijojë paqartësi juridike përmes proceseve të papërfunduara,” – nënvizoi Haxhiu, duke shtuar se Kosova do të vazhdojë të veprojë me vendosmëri në mbrojtje të integritetit institucional. /E.A/
