Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka bërë të ditur se Lëvizja Vetëvendosje do ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese dekretin e presidentes Osmani për shpërndarjen e legjislativit, duke e cilësuar atë si vendim jokushtetues dhe të ngutshëm.
Sipas saj, dekreti ishte një befasi pasi nuk është plotësuar asnjë rrethanë kushtetuese që i jep të drejtë presidentes ta shpërndajë Kuvendin pa kaluar afati 60-ditor apo pa dështuar zgjedhja e kreut të shtetit.
Haxhiu theksoi se ky veprim minon punën e institucionit, sidomos pas votimit të buxhetit dhe marrëveshjeve të rëndësishme ndërkombëtare.
“Pres që Gjykata Kushtetuese të veprojë në përputhje me ndjeshmërinë e çështjes dhe të marrë shpejt masën e përkohshme sepse pasojat do të jenë të pariparueshme,” deklaroi ajo.
Gjatë deklaratës së saj, kryeparlamentarja kërkoi që Gjykata Kushtetuese të veprojë me shpejtësi dhe profesionalizëm për të shmangur krizat e mëtutjeshme.
Ajo kritikoi mungesën e konsultimeve paraprake me të si drejtuese e Kuvendit dhe akuzoi deputetët që po pamundësojnë konstituimin e institucioneve duke mos krijuar kuorum për zgjedhjen e presidentit. Haxhiu insistoi se Kuvendi duhet të lejohet të vazhdojë punën e nisur pasi nuk ekziston asnjë bazë ligjore për shpërndarje në këtë fazë.
“Nuk ka asnjë rrethanë që i jep të drejtën presidentes që pa kaluar afati 60 ditor dhe pa dështuar në zgjedhjen e presidentit të vendit ta shpërndajë Kuvendin. Presidenca nuk është mbi Kuvendin e Kosovës,” shtoi Haxhiu.
/Ekonomia online/
