Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka kërkuar mbështetje dhe përkrahje nga ndërkombëtarët në aksione që kanë për qëllim shtrirjen e sovranitetit dhe vendosjen e rendit dhe ligjit në veri të vendit.
Pas reagimeve të ndërkombëtarëve në lidhje me aksionet e fundit në veri të vendit, Haxhiu ka thënë se aksione të tilla kanë për synim mbrojtjen e integritetit territorial të vendit. Madje ajo ka thënë se për ta bërë këtë, duhet angazhim dhe përkrahje edhe nga bashkësia ndërkombëtare. Ka thënë se veprimet ilegale nuk do të lejohen.
“Me thënë të drejtën në kemi përcjellë natyrisht me vëmendje të gjitha zhvillimet të cilat kanë ndodhur si përpjekje për të shtrirë sovranitetin dhe integritetin territorial në veriun e vendit. Ka pasur edhe dje një veprim institucional nga ana e institucioneve përgjegjëse me qëllim të zbatimit të ligjit dhe zbatimit të rregullores nga ana e BQK-së. Ne si Qeveri mbështesim secilin aksion i cili është i ligjshëm siç ishte edhe aksioni i djeshëm, prandaj edhe besoj që edhe miqtë e partnerët tanë, aksionet të cilat janë në përputhje me legjislacionin në fuqi që kanë për qëllim shtrirjen e rendit ligjit më çdo pjesë të territorit të Kosovës, duhet që t’i mbështesin dhe të na ndihmojnë në këtë përpjekje. Sigurisht që ne në vazhdimësi kemi komunikime me partnerët tanë dhe sigurisht që ne si Qeveri e Kosovës do të angazhohemi që përditë në veriun e vendit tonë të këtë rend e rregull, të këtë veprim të ligjit të institucioneve dhe jo veprime ilegale sepse ju e keni parë që ato assesi nuk do të tolerohen”, ka thënë Haxhiu pas përfundimit të akademisë përkujtimore në 25-vjetorin e masakrës së Burgut të Dubravës.
Ministrja Haxhiu në këtë prononcim po ashtu ka folur edhe për Ligjin që tashmë është në fuqi i cili ka për qëllim që të dokumentojë dhe hulumtojë të gjitha krimet që kanë ndodhur gjatë periudhës së luftës. Ajo ka theksuar se shumë shpejt në Qeveri do të procedohet Strategjia për drejtësinë tranzicionale dhe gjykimin në mungesë duke pasur parasysh që Serbia nuk i dorëzon kriminelët e luftës.
“Tani e kemi në fuqi Ligjin i cili ka për qëllim që të dokumentojë dhe hulumtojë të gjitha krimet që kanë ndodhur gjatë periudhës së luftës dhe në këtë drejtim është zgjedhur edhe drejtoi i këtij institucioni dhe tash po punohet për hulumtim dhe dokumentim të krimeve të kryera gjatë luftës. Shumë shpejt në Qeveri do të procedohet Strategjia për drejtësinë tranzicionale dhe gjithashtu kemi mundësuar gjykimin në mungesë duke pasur parasysh që Serbia nuk i dorëzon kriminelët e luftës. Për masakrën e Dubarvës kanë nisur hetimet, tani është një i akuzuar për këtë masakër dhe 40 të dyshuar për këtë krim të madh. Do të bashkëpunojmë me secilin shtet. Kosova tanimë ka marrëveshje të mira, bashkëpunim të mirë ndërkombëtar, me pothuajse shtetet mike, shtet që e kanë njohur Kosovën, përveç Serbisë. Sa i përket Malit të Zi ne kemi një bashkëpunim shumë të mirë me Malin e Zi përveç dy rasteve të fundit kur një ish ministër pro serb i cili tashmë nuk është ministër nuk ka ekstraduar në Kosovë disa persona të dyshuar për krime lufte. Prandaj edhe kemi vënë kontakte me ministrin e ri i cili është zotuar që do t’i adresojë përgjegjësitë që ka në këtë drejtim”, ka thënë ajo.