UBT News

Haxhijaj paralajmëron: Dështimi i Lojërave Mesdhetare 2030 mund ta dëmtojë rëndë imazhin e Kosovës

Ish-sekretari i Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK), Shasivar Haxhijaj, ka ngritur shqetësime lidhur me rrezikun e dështimit të organizimit të Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030, duke paralajmëruar pasoja afatgjata për sportin dhe imazhin ndërkombëtar të Kosovës.

I ftuar në emisionin “SportCast”, Haxhijaj ka theksuar se përplasjet mes dy figurave drejtuese po e rrezikojnë realizimin e një prej projekteve më të rëndësishme sportive në vend.

Sipas tij, sporti ka luajtur rol të jashtëzakonshëm në promovimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare, veçanërisht përmes sukseseve olimpike dhe medaljeve të fituara nga sportistët kosovarë.

Ai ka kujtuar medaljen e parë të artë olimpike të Majlinda Kelmendit, duke theksuar se ky sukses shënoi një kthesë të rëndësishme në mënyrën se si Kosova u perceptua nga komuniteti sportiv ndërkombëtar.

“Nëse ka diçka në Kosovë që është krijuar për ta përmirësuar imazhin e Kosovës, le ta dijë secili që sporti i Kosovës ka qenë ai që i ka dhënë imazh Kosovës. Mua më kujtohet, prej medaljes së parë olimpike që e kemi marrë me Majlindën, komplet trajtimi i gjithë lëvizjes olimpike ka filluar të ndryshojë në raport me Kosovën”, është shprehur Haxhijaj.

Ai ka theksuar se arritjet e sportistëve kosovarë ndër vite kanë ndikuar në rritjen e njohjes dhe respektit për Kosovën, ndërsa ka bërë thirrje që këto suksese të mos rrezikohen nga interesat personale.

“Ajo çka nuk dua ta besoj është që ky imazh i Kosovës, i sportit të Kosovës, të prishet për bajraktarizëm. Pse jam unë, mos të jetë ai tjetri”, ka deklaruar ai.

Duke folur për organizimin e Lojërave Mesdhetare, Haxhijaj ka vlerësuar se mosmarrëveshjet mes drejtuesve duhet të tejkalohen, në mënyrë që Kosova të mos humbasë mundësinë për të organizuar këtë ngjarje të rëndësishme ndërkombëtare.

Sipas tij, një dështim i mundshëm do të ndikonte drejtpërdrejt në besueshmërinë e Kosovës si organizatore e ngjarjeve të mëdha sportive.

“Mua më intereson që ata t’i kalojnë ato dhe t’i organizojnë Lojërat Mesdhetare. Mos ta dëmtojnë imazhin e Kosovës, e të sportit të Kosovës, sepse po ju garantoj që edhe 20 apo 30 vite të tjera askush nuk do të flasë më për Kosovën për t’i dhënë ndonjë garë serioze për organizim”, ka paralajmëruar Haxhijaj.

Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030 konsiderohen një mundësi e rëndësishme për zhvillimin e infrastrukturës sportive dhe promovimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Burimi: KosovaPress.

D.L

Exit mobile version