Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Igli Hasani ka mirëpritur homologun e tij ukrainas, Dmytro Kuleba, i cili ndodhet në Tiranë si pjesë e delegacionit që shoqëron presidentin presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky në Samitin Ukrainë-Europa Juglindore që do të mbahet sot në mesditë në “Pallatin e Kongreseve”.
Në një konferencë për media, Hasani ka shprehur gatishmërinë e Shqipërisë të mbështet sovranitetin, lirinë e tërësinë territoriale të Ukrainës. Po ashtu, ai ka shtuar se Shqipëria dënon me forcë agresionin rus ndaj Ukrainës. Pas takimit me homologun ukrainas, Kuleba, ai ka thënë se Shqipëria mbështet planin me dhjetë pika të presidentit Zelensky, si mundësia më realiste për dhënien fund luftës dhe arritjen e një paqe të qëndrueshme.
“Shqipëria mbështet sovranitetin, lirinë, pavarësinë, tërësinë territoriale të Ukrainës. Shqipëria dënon me forcë agresionin rus ndaj Ukrainës, dhe do të vijojë përpjekjet për ta mbajtur Rusinë përgjegjëse për krimet e kryera në Ukrainë. Shqipëria mbështet planin me dhjetë pika të presidentit Zelensky, si mundësia më realiste për dhënien fund luftës dhe arritjen e një paqe të qëndrueshme. Së bashku me aktor dhe vende tjera, kemi marrë tashmë angazhimin për bashkëpunimin, realizimin e pikës pesë që ka të bëjë me rivendosjen e tërësisë territoriale dhe sovranitetit të Ukrainës si një nga objektivat më imediat të përfundimit të luftës. Vendi ynë e ka vendosur si përparësi të punës trajtimin e situatës në Ukrainë dhe dënimin e agresionit rus në gjitha forumet ndërkombëtare, siç kemi bërë gjatë periudhës dyvjeçare në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, siç po veprojmë në kuadër të anëtarësisë tonë në Këshillin e të drejtave të njeriut. Pas përfundimit të detajeve ligjore dhe financiare jemi në fazën e përgatitjeve teknike për hapjen e ambasadës të Shqipërisë në Kiev, duke mbajtur në vëmendje edhe situatën e sigurisë në kryeqytetin e Ukrainës, por shpresojmë që inaugurimi të ndodh në pak muajt e ardhshëm”, deklaroi Hasani.
Tutje Hasani ka thënë se kanë diskutuar për ndihmën që mund të ofrojë Shqipëria në përballimin e situatës në Ukrainë, por edhe për rindërtimin e saj, për çfarë shpreson të ndodhë sa më parë. I njëjti shpreson që Samiti i sotëm të jetë frytdhënës dhe të ofrojë perspektiva të reja për të ardhmen e Ukrainës.
“Kemi folur për ndihmën që Shqipëria mund të ofrojë për përballimin e situatës në Ukrainë por edhe për rindërtimin e Ukrainës, që shpresojmë të ndodhë sa më parë. Kemi diskutuar për mënyra e rritjes së bashkëpunimit ekonomik, pasi këto marrëdhënie duhet të ngrihen mbi nivelin e atyre marrëdhënieve të shkëlqyera politike që ne kemi. Dhe jemi të lumtur për avancimin e Ukrainës në rrugën e saj pro-evropiane dhe urojmë që vendimi i Këshillit Evropian për hapjen e negociatave të anëtarësimit të shtrojë rrugën për nisjen e tyre sa më parë. Jemi të gatshëm të ofrojmë edhe përvojën tonë të deritanishëm në këtë proces. Uroj që Samiti i përbashkët midis vendeve të Evropës Juglindore dhe Ukrainës që fillon sot, të jetë frytdhënës dhe të ofrojë perspektiva të reja për të ardhmen e Ukrainës”, shtoi Hasani.
Ndërsa ministri Kuleba derisa është shprehur i lumtur me prezencën e tij në Tiranë, falënderoi Shqipërinë për mbështetjen që ka dhënë ndaj Ukrainës, duke theksuar se dy vendet evropiane do bashkërendojnë ngushtë sa i takon rrugëtimit në Bashkimin Evropian. Në anën tjetër, ai shtoi se Rusia duhet të dënohet si përgjegjëse për krimet e luftës në Ukrainë.
“Më kujtohet me mirënjohje të posaçme, mandati i Shqipërisë në Këshillin e Sigurimit në këto dy vite dhe mënyra se si keni marrë pjesë në diskutimet për Ukrainën dhe takimi në Këshillin e Sigurimit ku kryeministri Rama kryesoi mbledhjen në mënyrë elokuente e efikase në 2023. Sot informova ministrin për situatën në front dhe sulmet me dron e raketa të Rusisë çdo ditë Rusia duhet të mbahet përgjegjësie për krimet e luftës të kryera në rrjedhën e luftës, kështu do donim të intensifikonim përpjekjet tona në këtë drejtim. Vlerësojmë që Shqipëria është bashkuar në regjistrin kombëtar të dëmeve të shkaktuara nga Rusia në Ukraine. Ukraina dhe Shqipëria janë dy vende evropiane të bashkuara na vlera të përbashkëta evropiane. Ne ramë dakord që të bashkërendojmë ngushtë sa i takon rrugëtimit tonë evropian”, tha Kuleba.
Paraprakisht ka ndodhur nënshkrimi i marrëveshjes mes ministrit të Jashtëm të Shqipërisë, Hasanit dhe homologut të tij ukrainas, Kuleba.