UBT News

Hasani: Ekspozita për masakrat, shërbim ndaj propagandës së Beogradit

Deputeti i PDK-së, Nait Hasani, ka lëshuar akuza të rënda nga foltorja e Kuvendit drejt Shkëlzen Gashit dhe mbështetësve të ekspozitës për masakrat në Kosovë, duke vlerësuar se prezantimi i pasaktë i krimeve serbe i shërben drejtpërdrejt interesave të Beogradit dhe Aleksandër Vuçiqit.

Si dëshmitar i mbijetuar i tmerrit në Burgun e Dubravës, Hasani deklaroi se nuk do të lejohet që viktimat të “masakrohen” për herë të dytë nga ata që i quajti mercenarë.

“Nuk do të lejojmë që masakrat të masakrohen për herë të dytë nga mercenarët”, deklaron Hasani.

Ai theksoi se përmbajtja e shfaqur më 24 mars nuk ishte thjesht një gabim, por një pasqyrim i qëllimshëm i narrativave të ish-UDBA-s, duke e cilësuar atë si një fyerje të rëndë për të vërtetën dhe të mbijetuarit.

“Kjo nuk është vetëm gabim. Është prezantim i qëllimshëm i deklarimeve të UDBA-s të asaj kohe. Është fyerje për viktimat, të burgosurit e të mbijetuarit”, tha ai.

Hasani denoncoi faktin se kjo ekspozitë, e financuar me para publike, e paraqet masakrën e Dubravës si një “kryengritje” ku gjoja janë vrarë ushtarë të armatosur, duke ricikluar kështu propagandën e aparatit kriminal serb pas 27 vitesh.

Deputeti solli në vëmendje edhe një rast të ngjashëm të ndodhur në shtator të vitit 2024 në një aktivitet të organizuar nga Birn Kosova, ku u diskutua versioni i një fotoreporteri serb që pretendonte se në Dubravë kishte pasur rebelim të të burgosurve. Ndonëse fotoreporteri kishte kërkuar falje më vonë, Hasani nënvizoi se dëmi politik tashmë është shkaktuar përmes përhapjes së versioneve të sajuara nga strukturat serbe të sigurisë në mediat ndërkombëtare

Exit mobile version