Të gjithë gati për stërvitjen e hapur të Tottenhamit, trajneri Nuno Espirito Santo ishte aty për të mirëpritur disa lojtarë që ktheheshin nga pushimet, mes tyre, sipas programit, duhej të ishte edhe Harry Kane, i cili ishte i angazhuar deri në mesin e muajit korrik me ekipin kombëtar anglez në “Euro 2020”, por sulmuesi, megjithatë, nuk u shfaq.
Sipas medieve angleze, kthimi i Kane te “Spurs”-at ishte caktuar për këtë të hënë, për të zhvilluar seancën e parë stërvitore, por asgjë në horizont.
Kane beson se ka një marrëveshje me drejtuesit e Tottenhamit për shitjen e tij që këtë verë, një situatë që do të hapte qartë skenarë të ndryshëm në merkaton e futbollistëve.
Por, nga ana tjetër “Spurs”-at, nuk e njohin atë që pretendon sulmuesi anglez. Ndërkohë, Manchester City është në prapavijë, i gatshëm për të dalë me prepotencë në skenë, në rast të zhvillimeve të mëtejshme. Realiteti, tani për tani, tregon që Kane nuk mori pjesë në stërvitje e duket se është fillimi i një kapitulli që mund të ndezë edhe më shumë merkaton e verës.