Harry Kane është shpallur fitues i “Topit të Artë 2026”, duke rrëmbyer çmimin më prestigjioz individual në botën e futbollit. Sulmuesi anglez u vlerësua për paraqitjet e jashtëzakonshme me Bayern Munichun dhe Kombëtaren e Anglisë, duke lënë pas rivalët kryesorë, Kylian Mbappe dhe Lamine Yamal.
Kane realizoi plot 73 gola gjatë edicionit të kaluar, duke dëshmuar formën e tij të shkëlqyer para portës kundërshtare. Me Bayernin arriti të shpallej kampion i Gjermanisë, ndërsa me Anglinë siguroi pjesëmarrjen deri në gjysmëfinale të Kupës së Botës.
Ceremonia e ndarjes së çmimeve u zhvillua të hënën mbrëma në Londër, në një edicion të veçantë që shënoi 70-vjetorin e “Topit të Artë”. Me këtë triumf, Kane bëhet futbollisti i parë anglez pas 25 vjetësh që fiton këtë çmim.
Gara për trofeun kryesor ishte ndër më të fortat e viteve të fundit, ndërsa emri i fituesit mbeti i paqartë deri në momentin e shpalljes zyrtare.
“Jam pa fjalë. Të jem këtu në Londër e bën këtë moment edhe më të veçantë. Falënderoj të gjithë ata që votuan për mua. E imagjinoj se sa e vështirë ka qenë zgjedhja këtë vit, duke parë cilësinë e futbollistëve të nominuar”, u shpreh Kane pas marrjes së çmimit.
Përveç trofeut kryesor, sulmuesi anglez u nderua edhe me çmimin për golashënuesin më të mirë.
Në konkurrencën e femrave, Alexia Putellas fitoi “Topin e Artë”, ndërsa Charlyn Corral u shpall golashënuesja më e mirë.
Çmimi për klubin më të mirë te meshkujt i takoi Paris Saint-Germainit, ndërsa Barcelona u vlerësua si klubi më i mirë në futbollin e femrave.
Në kategorinë e trajnerëve, Luis de la Fuente u shpall më i miri te meshkujt, ndërsa Pere Romeu triumfoi te femrat. Në mesin e të nominuarave ishte edhe trajnerja shqiptare Elena Sadiku.
Çmimi për portierin më të mirë iu nda Unai Simonit, ndërsa te femrat këtë vlerësim e mori Cata Coll.
Lamine Yamal vazhdoi të shkëlqejë edhe në kategorinë e talenteve, duke fituar për herë të tretë çmimin për futbollistin e ri më të mirë. Ndërkohë, Vicky Lopez u vlerësua si talentja më e mirë te femrat.
Një tjetër çmim i rëndësishëm, ai “Socrates”, iu nda Bukayo Sakës për angazhimin dhe kontributin e tij në aktivitete humanitare.
Në mesin e dhjetë futbollistëve më të mirë të edicionit u renditën edhe Ousmane Dembele, Erling Haaland, Khvicha Kvaratskhelia, Lionel Messi, Michael Olise, Rodri dhe Fabian Ruiz.
Edicioni i 70-të i “Topit të Artë” u karakterizua nga dominimi i futbollit spanjoll në disa kategori, por vëmendja kryesore mbeti te Harry Kane, i cili kurorëzoi sezonin e tij të suksesshëm me trofeun më të rëndësishëm individual në futboll.
D.L
