Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka dorëzuar sot zyrtarisht në Kuvendin e Republikës së Kosovës një kërkesë për organizimin e një ceremonie përkujtimore në nderim të ish-kongresmenit amerikan, Eliot Engel.
Përmes kësaj iniciative, Haradinaj synon që institucionet e Kosovës të shprehin mirënjohje të lartë për kontributin e jashtëzakonshëm të Engelit në proceset e lirisë, pavarësisë dhe shtetndërtimit, duke e cilësuar atë si një nga zërat më të fuqishëm pro Kosovës në momentet më vendimtare të historisë.
Propozimi i dorëzuar parashihet të përfshijë mbajtjen e një seance të veçantë përkujtimore, krijimin e një çmimi vjetor që do të mbajë emrin e mikut amerikan, si dhe vendosjen e një memoriali të përhershëm brenda hapësirave të Kuvendit.
Haradinaj ka theksuar se nderimi i aleatëve të tillë është një detyrim institucional dhe kombëtar, i cili shërben për të ruajtur kujtesën historike dhe për të forcuar lidhjen e përhershme strategjike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

