UBT News

Haradinaj pas aksidentit në Gjakovë: Të shërbejë si alarm për të rritur përgjegjësinë institucionale

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka reaguar pas aksidentit tragjik ku humbën jetën dy punëtorë gjatë orarit të punës në Gjakovë.

Ai e cilësoi këtë si një goditje të rëndë jo vetëm për familjarët e viktimave, por edhe për tërë shoqërinë, duke kërkuar rritje të përgjegjësisë nga institucionet shtetërore dhe më shumë kujdes nga bizneset për kushtet e sigurisë në punë.

“I trishtë lajmi për ndarjen tragjike nga jeta të dy punëtorëve në vendin e punës në Gjakovë. Humbja e jetës në përpjekje për të siguruar bukën e gojës është një tragjedi e madhe për familjet, por edhe për gjithë shoqërinë tonë”, tha Haradinaj.

Gjithashtu ai tha se ndërmarrësit kosovarë duhet që të rrisin nivelin e sigurisë fizike të punëtorëve në çdo vend pune.

“Për organet shtetërore, ky rast duhet të shërbejë si alarm për të rritur përgjegjësinë institucionale dhe për të garantuar zbatimin e plotë të ligjeve që mbrojnë punëtorin. Ndaj dhimbjen me familjet e viktimave, me kolegët e tyre dhe me gjithë qytetarët e Gjakovës.” – shtoi Haradinaj.

Exit mobile version