UBT News

​Haradinaj kritikon qeverinë për ndarjen e buxhetit 2024

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, e quan zvogëlim real të pagave rritjen e koeficientit nga 105 në 110 euro. Ai e vlerëson si shqetësues, siç tha ai, nënçmimin që po u bëhet Policisë së Kosovës, shëndetësisë dhe drejtësisë me mohimin e pagesave shtesë për rrezikshmëri. Haradinaj kritikoi qeverinë edhe për mosinvestimin në Ministrinë e Mbrojtjes.

Në seancën e Kuvendit, Haradinaj potencoi se mbi 80 për qind e projekteve kapitale të listuara në buxhetin 2024 janë të parealizueshme në tri vitet e fundit, e të bartura për vitin 2024.

“Kjo është rritja më e vogël e një buxheti që nga çlirimi i vendit. Rritje e vlerës së koeficientit të pagave nga 105 më 110 euro nuk është rritje e as harmonizim, por është zvogëlim real i pagave. Indeksi i çmimeve të konsumit është 5.1 për qind ketë vit, dhe 2.7 për qind është i paraparë për vitin 2024. Pra, e argumenton këtë. Shqetësuese në veçanti është nënçmimi që iu bëhet disa kategorive si Policia e Kosovës, shëndetësia, drejtësia e të tjerë të dëmtuar nga qeveria, nga mohimi i pagesës së shtesave për rrezikshmëri dhe punë shtesë të garantuara me ligjin në fuqi. Investimet kapitale të shtuara vetëm për 48 milionë nuk mundësojnë ndonjë zhvillim ekonomik, praktikisht janë stagnim kur marrim parasysh se 90 për qind e projekteve të parapara për realizim për vitin 2023 nuk janë realizuar, por mbahen në vitin buxhetor 2024. Ndërsa, mbi 80 për qind e projekteve kapitale të listuara në buxhetin që e shqyrtojmë sot janë projekte të parealizuara në tri vitet e fundit, e të bartura për vitin 2024”, tha Haradinaj.

Ndërkaq Haradinaj tha se asnjë nga projektet e infrastrukturës në shëndetësi dhe arsim nuk do të përfundojnë në vitin që vjen. Haradinaj derisa bëri krahasimin se sa investojnë vendet e tjera në institucionet e mbrojtjes, tha se qeveria aktuale nuk ka implementuar 58 milionët e parapara për mbrotje, por i bartë në vitin tjetër. Shqetësuese Haradinaj e sheh edhe mosndarjen e ‘asnjë centi shtesë për Ministrinë e Punëve të Brendshme’.

“Tek infrastruktura rrugore për rehabilitimin e rrugëve vetëm 3 milionë euro për rrugën, ndërsa 59 milionë eurot e reja, qe janë bartë, janë kryesisht të bartura ndër vite dhe ato ju dedikohen projekteve, qe po ashtu nuk garanton përfundimin në vitin që vjen… Në shëndetësi janë vetëm 2 milionë të reja… ndërsa në arsim vetëm 4.5 milionë. Asnjë nga projektet e infrastrukturës në shëndetësi dhe arsim nuk do të kryhen në vitin që vjen, janë bart ndër vite dhe nuk do të përfundojnë as në vitin që vjen. Për Ministrinë e Punëve të Brendshme, nuk është paraparë asnjë cent shtesë… Qeveria e Kosovës në kohën e zhvillimeve të sigurisë të rendit dhe të ligjit bart 52 milionë eurot e këtij viti në vitin tjetër. Në Ministrinë e Mbrojtjes… Qeveria jonë nuk ka implementuar 58 milionët e parapara por i bartë në vitin tjetër. Fondi i subvencioneve dhe transfereve është zvogëluar për 35.6 milionë”, potencoi Haradinaj.

Si problem më vete, kryetari i AAK-së e konsideron ndarjen e padrejtë të investimeve kapitale për komunat e partisë, derisa e quan “të pafytyrë”, veprimin e qeverisë në këtë rast.

Lidhur me këtë tha se “kemi të bëjmë me një qeveri e cila nuk investon buxhetin qëllimshëm ndër vite”.

Exit mobile version