UBT News

Haradinaj: Do ta mbrojë të drejtën e veteranëve, por jo duke shkatërruar shtetin tonë

(FILES) In this file photo taken on January 25, 2019 Kosovo Prime Minister Ramush Haradinaj speaks during an interview with the AFP, in Pristina. - Kosovo PM resigns after being called to war crimes court, AFP learnt on July 19, 2019. (Photo by Armend NIMANI / AFP)ARMEND NIMANI/AFP/Getty Images

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka akuzuar kryeministrin Albin Kurti se u ka ngulur thikë pas shpine dy vlerave sublime të vendit – aleatëve ndërkombëtarë dhe kategorive të dala nga lufta.

Në takim me përfaqësues të shoqatave të dala nga lufta, shoqatat e të burgosurve politikë, shoqatat e të pagjeturve si dhe ish-udhëheqës të UÇK-së, Haradinaj tha se sjellja e Kurtit ndaj këtyre kategorive është jonjerëzore dhe jokombëtare.

“Sot si qeverisje, si politikë dhe institucione jemi duke bërë disa gabime që janë shumë të rrezikshme. Politika e Kosovës, veçanërisht e përfaqësuar prej qeverisë Kurti i ka ngul thikë pas shpine dy vlerave tona më sublime që i kemi. Po e filloj të parën me thikën pas shpine të besimit të krijuar që nga koha e luftës mes shqiptarëve dhe NATO-s të prirë nga ShBA-ja. Një besim që ka lind në sakrificë dhe në kohë të dhimbjes që nuk ka qenë i lehtë me fitu, Kurti dhe kjo qeveri i ka vënë thikë pas shpine. Njëkohësisht, Kurti dhe kjo qeveri i kanë vënë thikë pas shpine edhe sakrificës tonë për liri. Kategorive të lirisë dhe njerëzve që kanë mbajtur mbi supe peshën e luftës, të cilët nuk janë vetëm luftëtarët e UCK-së por edhe të gjithë të tjerët. Sjellja e Kurtit ndaj kësaj kategorie është jo njerëzore, jo kombëtare dhe jo institucionale”, tha ai.

Ai shtoi se përjashtimi i veteranëve të UÇK-së nga rritja e pagës minimale është e pandershme nga kryeministri Kurti.

Haradinaj theksoi se pushteti nuk mund të fyejë veteranët në emër të fryrjes së listave të veteranëve, derisa tha se Kurti nga kafetë me serbë në zyrë të Demaçit, shkoi në burg në Serbi.

“Para jush po flet një veteran i vërtetë. Unë kam emër dhe mbiemër, Ramush Ilmi Haradinaj dhe jam veteran i vërtetë. Nuk jam Albin Kurti, i cili prej kafeve që ka pi me serbët atëherë ka shkuar në zyrë të Adem Demaçit dhe prej aty ka shkuar me duar lidhur në Beograd. Nuk jam Mimoza Kusari që nuk e di se ku ka qëndruar në luftë, por e di se ku kanë qëndruar shumë gjakovarë të zotë, por nuk jam Mimoza Kusari. Albin Kurti dhe ajo me i dhënë vetës të drejtë me t’i ofendojë veteranët e vërtet në emër të fryrjes së listave dhe mos me i përfshi në pagën minimale. Kjo punë ka shkuar shumë lartë dhe kanë kaluar disa kufij”, theksoi Hardinaj.

Kritik ndaj Kurtit u shprehën edhe organizatat e dala nga lufta, sipas të cilave “kjo qeveri ka harruar rrugën e sakrificës së Kosovës për të ardhur tek liria”.

Kryetari i Shoqatës së Familjeve të Dëshmorëve të UÇK-së, Xhavit Jashari tha se mazhoranca ka bërë tradhti kombëtare me miratimin e Ligjit për pagën minimale, duke përjashtuar veteranët.

Ai tha se nuk do të heqin dorë nga veprimet për të kundërshtuar këtë vendim, megjithatë tha se do të presin deri në vendimin e Gjykatës Kushtetuese, pas dërgimit të këtij ligji nga AAK-ja për interpretim.

“Vendimet e fundit të kësaj qeverie përmes deputetëve në Kuvend ka bërë një tradhti të madhe ndaj shtetit dhe institucioneve. Gjithsesi edhe ndaj kësaj kategorie, veteranëve të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës…Meqenëse është dërguar në Gjykatën Kushtetuese, deri në interpretim të ligjit ne do të presim nuk do të marrim veprime të cilat në këtë kohë ndoshta nuk na duhen. Megjithatë është prek keq, është prek rëndë dhe është thyer dinjiteti i secilit qytetarë dhe jo vetëm kësaj kategorie, ku dalin përgjimet dhe kërkohet nga ata që dje i kemi pas kundërshtuar që me dëmtu një kategori si veteranët e luftës së UÇK-së”, tha ai.

Ndërkaq, Fadil Shurdhaj nga Shoqata e invalidëve të luftës, tha se ekzekutivi nuk po i respekton ata.

“Do të na detyrojnë që ne t’i marrim protezat dhe t’iu qesim para Kuvendit të Kosovës dhe qeverisë. Le t’i shkelin, këta kështu paskan dashur të vdekur ose të strukur dhe me mbet tek shtëpia”, deklaroi ai.

Ndërsa, Emin Lati nga OVL-UÇK, kërkoi nga partitë opozitare, sidomos siç e quajti ai, krahu i luftës, që të bëhen bashkë në Kuvend për të kundërshtuar Qeverinë Kurti.

“Ju bëjë thirrje juve që keni qenë pjesë e luftës të bëhen bashkë në parlament si krah i luftës dhe të mbërrijmë qëllimin dhe vlerat ku na takon. Ne nuk po lypim asgjë më shumë se që na takon, një mirëqenie sociale më të mirë me pas veterani, invalidi dhe familjet e dëshmorëve”, theksoi Lati.

Në anën tjetër, Bajram Qerkini nga Shoqata “Zëri i Prindërve” , tha se kryeministri Kurti s’ka realizuar asgjë nga ajo që ka premtuar.

“Asnjë gjë nuk është realizuar që ka premtuar. Po edhe baba jem të ishte dhe farefisi nëse për 2 vjet e gjysmë më gënjen kam me i thënë boll se nuk mundem më”, tha Qerkini.

Pas përfundimit të diskutimeve, kryetari i AAK-së, Haradinaj iu drejtua mediave, ku tha se do të mbrojë të drejtën e veteranëve, por jo duke shkatërruar shtetin e Kosovës.

“Nuk do të ishte mirë që veteranët me mbrojt vet të drejtën e vet. Pikërisht, kryeministri duhet të mbrojë të drejtën e veteranëve po ashtu edhe deputetët. Unë do të mbrojë të drejtën e veteranëve, por jo duke shkatërruar shtetin tonë”, tha ai.

Krahas këtyre, deputetë të AAK-së kanë paralajmëruar disa iniciativa ligjore që do t’i ndërmarrin në Kuvend, përfshirë edhe plotësim-ndryshimin e Ligjit për veteranët e UÇK-së.

Exit mobile version