UBT News

Haradinaj bën homazhe për viktimat e 11 shtatorit

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka bërë homazhe në kujtim të viktimave të sulmeve terroriste të 11 shtatorit në SHBA, duke e cilësuar këtë datë si një ditë që ka tronditur edhe popullin e Kosovës.

Ai ka theksuar se lidhja mes shqiptarëve dhe Amerikës është e fortë dhe e pandashme.

Haradinaj ka kujtuar ndërhyrjen e NATO-s më 24 mars 1999, të udhëhequr nga SHBA, duke e quajtur atë moment vendimtar për jetën dhe ekzistencën e popullit të Kosovës. Ai tha se kjo lidhje është bërë pjesë e historisë dhe identitetit të shqiptarëve.

“Fati i popullit tonë edhe jeta jonë edhe ekzistenca jonë është e lidhur me Amerikën. Më 24 marsin e vitit 1999 kur Amerika i priu NATO-s ndërhyri pra në luftën e Kosovës. Duke filluar fushatën ajrore, bombardimin e caqeve serbe të regjimit të Millosheviqit atëherë dhe ndihmoi ndaljen e luftës. Kjo ndjenë e tillë e një lidhje të jetës të gjakut të popullit tonë të Kosovës, shqiptarëve me Amerikën është e fuqishme. Jemi tronditur me 11 shtator me sulmin terrorist me humbjen e shumë jetëve të pafajshme ndër ta edhe shqiptarë dhe edhe qeveria e Kosovës në të kaluarën ka ngritur një memorial i cili është modest por në kujtim të viktimave të 11 shtatorit. Atëherë ka qenë traditë që ditën e sulmit terrorist ta fillojmë së pari me nderim edhe me kujtim, ashtu siç kemi thënë që i kujtojmë e pastaj të vazhdojmë ditën e punës edhe sot vepruam kështu”, ka deklaruar Haradinaj.

Sulmet terroriste të 11 Shtatorit 2001 ishin një nga ngjarjet më tragjike në historinë moderne të Shteteve të Bashkuara. Katër aeroplanë pasagjerësh u rrëmbyen nga pjesëtarë të Al-Kaidës, dy u përplasën në Kullat Binjake në New York, një në Pentagon dhe një tjetër në një fushë në Pensilvani, ku pasagjerët tentuan të ndalonin rrëmbyesit.

Homazhet u zhvilluan pranë pllakës përkujtimore në oborrin e Qeverisë.

Rreth 3.000 persona humbën jetën dhe mijëra të tjerë u plagosën e që nga ajo ditë, SHBA-ja dhe bota kanë zhvilluar përkujtime vjetore për viktimat dhe heroizmin e atyre që ndërhynë gjatë sulmeve./S.K/EO/

 

Exit mobile version