UBT News

“Happening”, drama për abortin fitoi çmimin kryesor në Venecia

Filmi rreth aborteve të paligjshme në vitet 1960 në Francë ka fituar çmimin kryesor në Festivalin e Filmit në Venecia.

Filmi “Happening” (L’Événement) i regjisores Audrey Diwan, flet rreth një studenteje franceze e cila dëshpërohet gjithnjë e më shumë teksa kërkon mënyra ilegale për të abortuar për të vazhduar studimet.

“Unë e bëra këtë film me zemërim, me dëshirë, me barkun tim, zorrët, zemrën dhe kokën time”, tha Diwan ndërsa pranoi çmimin “Luani i Artë”.

Edicioni i 78 -të i festivalit më të vjetër të filmit në botë përfundoi të shtunën mbrëma, me të famshëm ndërkombëtarë që u mblodhën në tapetin e kuq të Venecias.

Çmimi i dytë, “Luani i Argjendtë”, iu dha regjisorit italian, Paolo Sorrentino për filmin “The Hand of God”, një film për rininë e tij në qytetin jugor të Napolit./UBTNews

Exit mobile version