Kryeministri Edi Rama ka ndarë sot pamje nga kantieri i restaurimit të Galerisë Kombëtare të Arteve në Tiranë. Restaurimi po përfshin krijimin e hapësirave të reja për ekspozim, bibliotekë, laboratorë dhe salla të reja për të përmirësuar infrastrukturën për veprat e artit dhe artistët.
Investimi i buxhetit të shtetit synon ruajtjen dhe zgjerimin e hapësirave ekzistuese të Galerisë. Për momentin, muzeu që aktualisht ka një sipërfaqe prej 4,600 m2 do të zgjerohet në 10,100 m2. Restaurimi po realizohet në mënyrë që të ruhen dhe të shtohen hapësirat ekzistuese, duke pasur parasysh nevojat e arteve figurative dhe të ekspozimit të veprave të artit, shkruan Agjencia Telegrafike Shqiptare.
Galeria Kombëtare e Arteve në Tiranë, e themeluar në vitin 1954, ka një histori të pasur në mbledhjen, ruajtjen, studimin dhe ekspozimin e vlerave të trashëgimisë kulturore të artit pamor shqiptar. Restaurimi aktual synon të përmirësojë kushtet për këto veprimtari dhe të sigurojë një ambient më funksional për vizitorët dhe artistët./UBTNews/