UBT News

Hapet rruga për Byronë e Konfiskimit: Projektligji miratohet në lexim të parë

Komisioni për Legjislacion ka miratuar në lexim të parë Projektligjin për Byronë për Konfiskimin dhe Sekuestrimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, duke i hapur rrugë dërgimit të tij për votim në Kuvendin e Kosovës.

Gjatë kësaj mbledhjeje, Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, e cilësoi këtë nismë si një mekanizëm kyç për forcimin e sundimit të ligjit, duke theksuar se përmes tij vendoset një standard i qartë ku nuk do të ketë tolerancë ndaj pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme.

Gërvalla sqaroi para anëtarëve të Komisionit se roli i Byrosë do të jetë mbledhja, verifikimi dhe analizimi i informacioneve mbi bazën e mospërputhjeve substanciale financiare, por pa pasur kompetencë për të marrë vendime përfundimtare.

Ajo specifikoi se “Byroja nuk konfiskon”, pasi vendimi final për konfiskimin e pasurisë do të mbetet gjithmonë në duart e gjykatave. Projektligji, sipas saj, garanton të gjitha të drejtat e palëve në procedurë, duke përfshirë qasjen në dokumentacion dhe mjetet juridike.

Në përfundim, ministrja u bëri thirrje deputetëve që ta mbështesin këtë projektligj, pasi ai shkon përtej mandateve qeveritare dhe partive politike. Ajo nënvizoi se ky ligj shërben si një garanci për qytetarët dhe reformën në drejtësi, duke siguruar që çdo pasuri e pajustifikueshme të rikthehet te shteti dhe qytetarët përmes mekanizmave kushtetues.

Exit mobile version