Rreth 12 agrobiznese që janë në pronësi të grave po ekospozojnë produktet e tyre në sheshin Zahir Pajaziti në kryeqytet.
Koordinatorja e projektit, Danijella Çoça bëri të ditur se ky panair, i cili do të zgjasë dy ditë, ka për qëllim mbështetjen e grave në agrobiznes.
“Njëra prej aktiviteteve më kryesore është kampanja e vetëdijësimit për çështjen rreth barazisë gjinore të të drejtave pronësore në bujqësi dhe zhvillimit ekonomik rural. Në kuadër të këtij aktiviteti është edhe ky panair i cili ka për qëllim mbështetjen e grave në agrobiznes, promovimin e produkteve të prodhuara mes lansimit të logos unike duke bërë thirrje për përkrahjen e prodhueseve dhe të produkteve duke i bërë këto prodhime të dallohen në dyqane dhe tregje”, shprehet ajo.
Sekretari i Ministrisë së Bujqësisë, Blerim Hasani tha se si ministri i kanë dhënë prioritet aktiviteteve promovuese të produkteve bujqësore vendore.
“Kemi sponsorizuar Ligjin për zhvillim të bujqësisë e cila është aprovuar në Qeveri dhe ka kaluar në Kuvend. Përmes këtij ligji i kemi dhënë prioritet aktiviteteve promovuese të produkteve tona bujqësore. Në këtë vit jemi të fokusuar në realizimin e programeve tona vjetore ku javën e kaluar kemi nënshkruar programin e pagesave subvencione në bujqësi, kemi rritje të theksuar të shumave të subvencionimit pjesë e kësaj rritje janë edhe kulturat që sot po i promovoni në këtë panair”, tha Hasani.
Në këtë drejtim, Hasani tha se në fund të këtij muaji do bëhet edhe lansimi i një programi të ri që ka për synim përkrahjen e bizneseve të vogla.
Nënkryetarja e komunës së Prishtinës, Donjeta Sahatçiu tregoi për shumën që ka ndarë komuna për tri projekte në tri vitet e fundit.
“Investimi i komunës së Prishtinës është në vlerë prej 1.5 milionë euro në këto tri vite në këto tri projekte, kjo sigurisht e tregon edhe prioritetin që komuna e Prishtinës e ka për këtë sektor rrjedhimisht prioritetin në fuqizimin e agrobizneseve dhe forcimin e pozitës së prodhueseve lokal në veçanti në punësimin e grave si dhe në formalizmin e mbështetjen e bizneseve të tyre me pajisje efeciente që i rritë kapacitetin prodhues… Ju ftoj t’i blini, t’i konsumoni ato që mos të detyrohen të bëjnë eksport për jashtë, por të jemi ne konsumatorët e parë të produkteve të tyre”, theksoi ajo.
Ky aktivitet është zhvilluar në kuadër të projektit SIRED dhe partner implementues është EKW.
Panairi mbështetet edhe nga Caritas Sëitzerland in Kosovo, Komuna e Prishtinës, Austrian Development Agency