Shoqata e Botuesve të Kosovës ka bërë të ditur se më 17 qershor do të hapet edicioni i 26-të i Panairit të Librit “Prishtina 2026”, një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore në vend.
Me moton “Libri hap botën”, panairi do të mbahet në Pallatin e Rinisë në Prishtinë dhe do të zgjasë deri më 21 qershor. Ceremonia hapëse do të nisë në orën 12:00 dhe do të transmetohet drejtpërdrejt në RTK.
Sipas organizatorëve, në këtë edicion do të marrin pjesë rreth 100 botues shqiptarë, ndërsa do të prezantohen afro 2 mijë tituj të rinj dhe rreth 6 mijë botime të viteve të fundit. Gjatë pesë ditëve të panairit do të organizohen mbi 40 aktivitete kulturore, promovime librash dhe takime me autorë vendorë e ndërkombëtarë. Mysafir nderi i këtij edicioni do të jetë shkrimtari italo-francez Francesco Rapazzini.
Organizatorët presin që panairi të vizitohet nga rreth 30 mijë qytetarë, studentë dhe nxënës, ndërsa hyrja për të gjithë vizitorët do të jetë falas.
