UBT News

Hapet Konsullata e Lituanisë në Kosovë

Lituania ka hapur zyrtarisht Konsullatën e saj në Kosovë, një ngjarje kjo që po konsiderohet si një hap historik drejt thellimit të raporteve diplomatike dhe bashkëpunimit mes dy shteteve. Në ceremoninë zyrtare të organizuar me këtë rast, ambasadori jorezident i Lituanisë për Kosovën, Eduardas Borisovas, deklaroi se hapja e kësaj konsullate përfaqëson një angazhim konkret për forcimin e bashkëpunimit në sferën institucionale, ekonomike dhe atë kulturore. Borisovas nënvizoi se vendi i tij mbetet një mbështetës i palëkundur i integrimit evropian të Kosovës dhe konsolidimit të shtetësisë së saj në arenën ndërkombëtare, raporton RTK.

Në këtë ngjarje mori pjesë edhe nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Ardian Gola, i cili e vlerësoi këtë akt si një dëshmi të besimit të ndërsjellë dhe partneritetit strategjik. Sipas tij, prioritet mbetet shkëmbimi i përvojave në reformat demokratike dhe fuqizimi i raporteve parlamentare. Rëndësinë e kësaj pranie diplomatike e theksoi edhe Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, i cili u fokusua te bashkëpunimi në fushën e sigurisë dhe sundimit të ligjit, duke u shprehur se konsullata do të jetë një urë e rëndësishme për koordinimin e çështjeve me interes të përbashkët.

Nga ana tjetër, Konsulli i Nderit, Bashkim Zeqiri, u zotua se do të punojë intensivisht për promovimin e interesave të dyanshme, duke krijuar mundësi të reja në fushën e ekonomisë, arsimit dhe investimeve. Hapja e kësaj konsullate shihet si një sinjal i fuqishëm i përkushtimit të Lituanisë dhe Kosovës për një partneritet afatgjatë, të bazuar në solidaritetin dhe vizionin e përbashkët për një të ardhme brenda familjes evropiane.

Exit mobile version