UBT News

Hapet Java e Filmit të Frankofonisë në Prishtinë

Në Prishtinë u hap Java e Filmit të Frankofonisë, një ngjarje e cila këtë vit zhvillohet nën temën “Moda dhe Kultura”.

Aktivitetet u çelën zyrtarisht me premierën e filmit “Couture” të Angelina Jolie, duke i dhënë tonin artistik dhe estetik këtij edicioni.

Publiku u magjeps nga një performancë artistike unike, që ndërthurte modën dhe teatrin, me synimin për të reflektuar ndikimin e kinematografisë franceze në botën e modës.

Në qendër të kësaj performance u shqua aktorja e Teatrit Kombëtar të Kosovës, Arta Selimi, e cila u paraqit me një veshje të veçantë dhe simbolike.

Veshja e saj ishte e frymëzuar nga filmi klasik francez “Peau d’âne” (Lëkura e gomarit), duke sjellë në skenë një atmosferë përrallore, elegante dhe magjike. Ajo përfaqësoi një bashkim harmonik midis modës bashkëkohore dhe estetikës filmike franceze.

Ky kombinim mes artit të filmit dhe dizajnit të modës shënoi një moment kulmor në hapjen e Javës së Filmit të Frankofonisë, duke dëshmuar fuqinë e bashkëpunimit kulturor dhe artistik ndërmjet vendeve frankofone dhe krijuesve kosovarë. /A.Z/UBT News/

Exit mobile version