Shtëpia e Evropës në Kosovë ka hapur ekspozitën interaktive “Ridizajnim dhe riciklim në industrinë e modës” në Prishtinë, në të cilën janë ekspozuar produktet dhe aksesorët e modës të ndërmarrjes shoqërore “DYVO” dhe organizatës jo-qeveritare “Let’s do it Peja”.
Në një komunikatë për media bëhet e ditur se të dy këto organizata janë duke implementuar suksesshëm konceptin e ekonomisë qarkore të bazuar në aksiomën: redukto – ripërdor – riciklo, dhe në këtë mënyrë janë duke kontribuar në uljen e ndotjes dhe ngritjen e vetëdijësimit për mbrojtjen e mjedisit, si dhe në krijimin e produkteve atraktive nga industria e modës duke ripërdorur mbetjet e materialeve të ndryshme.
DYVO, një ndërmarrje shoqërore që vepron në Prishtinë, përdor mbeturinat në formë të plastikës akrilike dhe i rikrijon ato në aksesorë modernë, trendi dhe të qëndrueshëm mode. Ndërsa organizata “Let’s do it Peja” grumbullon rrobat dhe materialet tjera të papërdorshme, duke i ridizajnuar ato në veshje moderne.
Përpos aksesorëve dhe veshjeve të ekspozuara, në ekspozitën “Ridizajnim dhe riciklim në industrinë e modës” vizitorët kanë mundësi të mësojnë më shumë për plastikën dhe mënyrat kreative të ripërdorimit të saj, përmes kuizit, dokumentarit të shfaqur, infografikave dhe aktiviteteve të tjera interaktive.
Ekspozita e cila po qëndron e hapur në Shtëpinë e Evropës në Prishtinë dhe e cila mundësohet nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, ka për qëllim të promovojë metodat alternative dhe të qëndrueshme të trajtimit të ndryshimeve klimatike.
Ekspozita mund të vizitohet çdo ditë pune nga ora 9:00 – 18:00, në Shtëpinë e Evropës në Prishtinë.