Është hapur ekspozita “Qëndresa Heroike e Jasharëve për liri” në Muzeun Kombëtar të Kosovës, në të cilën për një javë do të qëndrojnë 200 fotografi që flasin për qëndresën heroike të familjes Jashari dhe sakrificën më sublime të saj.
Pasardhësi i familjes Jashari, Bekimi tha se populli shqiptar ka vuajtur shumë për liri, derisa shtoi se shteti duhet të bëjë shumë më shumë se kaq dhe ta përjetësojë historinë me fakte për brezat e tjerë.
“Kjo ekspozitë sot është ngjarje e veçantë, është një histori që gjeneratat, përveç gjeneratës tonë, në veçanti kanë nevojë gjeneratat e reja për të parë dhe për t’u njoftuar dhe të mësohen me se atë çfarë ka ndodhur në vendin tonë. Populli ynë ka vuajtur shumë në veçanti populli shqiptar tashmë në shtetin e Kosovës, të ndarë padrejtësisht ashtu siç e tregon historia. Shteti duhet të bëjë shumë më shumë se kaq, qoftë në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të kontraktuar e të ndihmuar, dhe t’i mbështetë njerëzit e vullnetit të mirë apo organizatat e ndryshme që të mbledhin sa më shumë fakte dhe dëshmi, më së pari për fëmijët tanë që t’i shohin dhe ta mësojnë se çfarë ka ndodhur me shekuj rresht në Kosovën tonë… Në të gjitha trevat tona, në të gjithë fshatrat ka pasur përjetime të ndryshme, por që deshi fati që me kurorëzimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, vendi të çlirohet… Ne që kemi mbetur gjallë e kemi për obligim dhe detyrim të punojmë pareshtur për ta bërë Kosovën ashtu siç e deshën dëshmorët tanë, ashtu siç e deshën ata që një jetë të tërë ia kushtuan këtij vendi, lirisë tonë”, u shpreh Jashari.
E autori i ekspozitës së sotme, Sadik Krasniqi tha se kjo ekspozitë përmban mbi 200 fotografi, dhe përmes tyre arrihet t’u sjellë historinë prej së afërmi vizitorëve.
“Ekspozitë e cila e kujton dhe i sjellë nga afër vizitorët e brendshëm dhe ndërkombëtarë që të njihen së afërmi me atë se çfarë ka ndodhur para 25 vitesh. Rënia e Jasharajve, është një akt jashtëzakonisht sublim, i rrallë edhe i veçantë, unë e quaj dhe rast unik në historinë botërore. Në rastin e familjes Jashari, në të gjitha organizatat dhe skemat politike ushtarake populli u mobilizua, pra ndikoi pozitivisht, u forcua dhe u konsolidua Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe faktori ndërkombëtar e ktheu mendjen nga Kosova dhe si rezultat i kësaj ngjarje u fokusuan dhe mediat ndërkombëtare, u fokusua dhe diplomacia, dhe si rezultat i mëpasshëm i gjakut të derdhur ishte edhe intervenimi i NATO-s në Kosovë. Ekspozita përmban mbi 200 fotografi që flasin për dimensione të ndryshme të familjes”, tha Krasniqi.
Për të parë nga afër ekspozitën në Muzeun e Kombëtar të Kosovës kishin ardhur edhe qytetarë. Një ekspozitë të tillë e kishte mirëpritur edhe Adem Nika.
“Besoj që kjo është një ditë e madhe, një ditë që prezanton të gjithë luftën, sakrificën, organizimit të komandantit Adem Jashari, dhe familjes së tij. Ky është një sinonim i të gjithë brezave qe vijnë sepse kështu duhet të punohet, veprohet, kështu duhet të luftohet për lirinë e atdheut. I kam të freskëta kujtimet sidomos të sulmit të dytë që ishte në janar…Ky organizim është shumë i rëndësishëm është obligim dhe detyrim i të gjithë institucioneve posaçërisht i muzeut të Kosovës, këtu mundet njeriu të shoh shumë fotografi, shumë mjete të cilat i kanë përdorur në luftë gjatë veprimit të tij”, tha ai.
“Qëndresa Heroike e Jasharëve për liri”, e cila është hapur për nder të Epopesë së lavdishme të UÇK-së, do të qëndrojë e hapur për shtatë ditë, ku qytetarët do të mund të shohin përmes fotografive qëndresën heroike të familjes Jashari.