Biblioteka Kombëtare e Kosovës ka ftuar mediat dhe publikun të marrin pjesë në hapjen e ekspozitës së Agjencisë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, me titull “Koha e shndërrimit – Kosova 1968–1981: dokumente dhe dëshmi”.
Ekspozita paraqet materiale arkivore që ndriçojnë një periudhë vendimtare për zhvillimet historike, shoqërore dhe politike në Kosovë, duke i bërë të aksesueshme përmes dokumenteve, dëshmive dhe burimeve historike të ruajtura ndër vite.
Hapja e ekspozitës do të zhvillohet sot në Hollin e Ekspozitave të Bibliotekës Kombëtare, nga ora 12:00.
Biblioteka fton gazetarë, studiues, studentë dhe të gjithë të interesuarit të jenë pjesë e këtij organizimi, për të risjellë në vëmendje një periudhë të rëndësishme të historisë së vendit përmes dëshmive autentike arkivore. /A.Z/UBT News/
