Është hapur ekspozita e fotografit të njohur Hazir Reka, e cila sjell në vëmendje një nga periudhat më të rëndësishme të historisë së Kosovës, vitet 1988–1989 dhe rezistencën e minatorëve të Trepçës.
Në këtë ngjarje morën pjesë kryeministri në detyrë Albin Kurti, ministrja e Kulturës Saranda Bogujevci, si dhe përfaqësues të institucioneve dhe komunitetit kulturor.
Fotografitë e ekspozuara dokumentojnë protestat dhe grevat e minatorëve, veçanërisht grevën historike në Stantërg të Trepçës, duke dëshmuar për përpjekjet e tyre në kërkim të lirisë, dinjitetit dhe barazisë.
Sipas organizatorëve, fotografitë nuk paraqesin vetëm momente historike, por edhe kujtesë të gjallë të sakrificës dhe qëndresës qytetare.
Përmes objektivit të tij, Hazir Reka ka krijuar një arkiv të rëndësishëm të kujtesës kolektive, duke ruajtur dëshmi të vlefshme të rrugëtimit historik të Kosovës.
Ekspozita është mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit./A.K/
