UBT News

Hapet aplikimi për shtesat prej 100 euro për studentët

Është hapur aplikimi për studentët për përfitimin e shtesave në vlerë prej 100 eurosh, në kuadër të Pakos për Përballje me Inflacionin 2.0.

Lajmin e ka bërë të ditur ministri në detyrë i Financave dhe Transfereve, Hekuran Murati, i cili ka njoftuar se aplikimi bëhet përmes platformës e-Kosova, në kategorinë “Familja”.

Sipas Muratit, janë dy formularë aplikimi, një për studentët shtetas të Kosovës dhe një tjetër për studentët që studiojnë në Kosovë, por nuk janë shtetas të saj.

Ai ka bërë të ditur se afati për aplikim do të jetë i hapur deri më 5 qershor.

Ndërkohë, gjatë ditës së sotme janë ekzekutuar edhe shtesat e njëhershme prej 100 eurosh për fëmijët dhe pensionistët.

Qeveria në detyrë e kishte miratuar më 22 maj Pakon për Përballje me Inflacionin 2.0, e cila përfshin mbështetje financiare për pensionistët, fëmijët, studentët dhe punëtorët e sektorit privat me të ardhura nën 1000 euro.

Exit mobile version