Barcelona arriti një fitore në miqësoren parasezonale kundër Manchester Cityt, duke e mposhtur skuadrën angleze në penallti me rezultatin 4:1 pas një barazimi dramatik 2:2 në kohën e rregullt.
Golat për Barcelonën u shënuan nga Pau Victor dhe Pablo Torre, ndërsa për Cityn shënuan O’Reilly dhe Jack Grealish. Në penallti, Lewandowski, Darvich, Balde dhe Martinez ishin të saktë për katalanasit, ndërsa Ahmed Fatah shënoi për Cityn, me Kalwin Phillips dhe Wright që humbën mundësitë e tyre.
Pas ndeshjes, trajneri i ri i Barcelonës, Hansi Flick, shprehu kënaqësinë për performancën e skuadrës së tij, duke vlerësuar lojën e ekipit të tij në përballjen me një ekip të fortë si Manchester City.
“Ne kemi parë gjëra të mëdha. Kemi luajtur kundër një ekipi të madh me lojtarë fantastikë. Jam shumë i lumtur me ekipin tim. Ne mbrohemi si ekip dhe gjithashtu sulmojmë një ekip,” tha Flick.
Megjithatë, ai theksoi se ndonëse ishte i kënaqur me performancën, kishte ende hapësirë për përmirësim. “Unë do të thoja se ne u mbrojtëm shumë larg. Nuk është ajo që më pëlqen më shumë. Ne duhet të përmirësohemi në këtë,” shtoi trajneri gjerman.
Flick gjithashtu lavdëroi portierin Ander Astralaga për rolën e tij të rëndësishëm gjatë penalltive, duke theksuar se dëshiron të ndërtojë një ekip të ngjashëm me atë që Pep Guardiola ka ndërtuar në Manchester City.
Barcelona tani do të përballet me Real Madridin në një tjetër miqësore të rëndësishme më 3 gusht, një test tjetër për trajnerin Flick dhe skuadrën e tij përpara fillimit të sezonit./UBTNews/